Misioni i ODIHR-it: Zgjedhjet vendore në Shqipëri ishin konkurruese / Foto: AA

Sipas vlerësimeve paraprake të misionit të vëzhgimit të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri në përgjithësi u administruan mjaft mirë dhe ishin konkurruese.

Drejtuesja e misionit të ODIHR-it, Audrey Glover, në një konferencë për mediat me përfaqësuesit e delegacionit nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe delegacionit nga Parlamenti Evropian, tha se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore.

Ajo theksoi se këto janë zgjedhjet e 16-ta që ODIHR-i i monitoron në Shqipëri.

"Zgjedhjet vendore të 14 majit në përgjithësi u administruan mjaft mirë, ishin konkurruese dhe në to morën pjesë forcat kryesore politike. Por, procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës", u shpreh Glover.

Ajo theksoi kandidatët arritën të bënin fushatë lirisht, por sipas saj "çështjet me rëndësi për komunitetet vendore zor se u shfaqën gjatë kësaj fushate".

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e organizoi punën e tij në mënyrë transparente dhe efikase, por stabiliteti i komisioneve të niveleve më të ulëta u ndikua negativisht nga zëvendësimet e shpeshta të anëtarëve nga partitë", theksoi Glover.

Drejtuesja e misionit të ODIHR-it u shpreh se numërimi i votave u vlerësua pozitivisht në përgjithësi.

Ndërkohë, ODIHR-i do të përgatisë një raport përfundimtar pas disa muajsh, që do të përfshijë edhe rekomandime.

Zgjedhjet vendore në Shqipëri u mbajtën më 14 maj, për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë në gjithë vendin.

AA