Në Tiranë është nënshkruar marrëveshja për zhvillimin e projektit "Marina dhe Jahtet e Durrësit", që pritet të hapë rrugën për fillimin e punimeve për ndërtimin e portit të ri turistik.
Kontrata në fjalë është nënshkruar mes Qeverisë së Shqipërisë dhe "Eagle Hills Real Estate Development", përfaqësuar nga investitori nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabar.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Rama tha se me firmosjen e kontratës fillon një proces tjetër, sipas tij, ai i çeljes së kantierit, i fillimit të punës dhe i hapjes së një fronti të ri të rëndësishëm punësimi.
Rama shtoi se tani është koha për të nisur punën në terren dhe për t’i hapur rrugë “këtij transformimi të paimagjinueshëm deri pak vite më parë”.
"Nuk diskutohet që Durrës Marina hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm, në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik. Por, Durrës Marina hyn edhe si një konkurrent në një treg shumë më të gjerë sesa tregu shqiptar, në tregun ndërkombëtar, konkurrent i cili do të ofrojë jo vetëm shërbime të një cilësie të padiskutueshme, por do të ofrojë punësim cilësor", tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se ky investim vjen si rezultat i vendosjes së një themeli të ri për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë e së nesërmes.
Në fjalën e tij në ceremoni, Alabbar tha se është krenar për këtë arritje dhe shtoi se rruga përpara është shumë entuziazmuese.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2022 Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin mbi projektin për ndërtimin e portit të ri turistik të Durrësit.
Sipas autoriteteve shqiptare, Projekti "Marina dhe Jahtet e Durrësit", investim me vlerë rreth 2 miliardë eurosh, ka si objektiv zhvillimin urban dhe rigjallërimin e një pjese të qytetit të Durrësit, nëpërmjet një rikonceptimi të ri të portit dhe zonës përreth, duke rinovuar dhe zhvilluar bregdetin në të cilin do të shtrihet ky projekt.