Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vizitoi Kievin një ditë më parë.
Në një postim sot në rrjetet sociale, Hasani thekson se zhvilloi takime produktive me presidentin ukrainas Volodymir Zelenskyn, Kryetarin e Parlamentit Ruslan Stefanchuk, Kryeministrin Denys Shmyhal, zv/kryeministren Olga Stefanishyna dhe Ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha.
Hasani njofton se gjatë takimeve “shkëmbyem instrumentet e ratifikimit të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë dhe nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi, të fokusuar në bashkëpunimin në integrimin evropian.”
Për ministrin Hasani “Këta hapa përfaqësojnë progres të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve tona dhe riafirmojnë angazhimin tonë për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm.”
Hasani mbyll postimin duke theksuar se Shqipëria qëndron me vendosmëri me Ukrainën në rrugën e saj drejt paqes, sigurisë dhe së ardhmes evropiane.