Nënshkruhet Memorandumi për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit

Nënshkruhet Memorandumi për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit

Projekti do të kushtoj 2 miliardë euro dhe parashihen të hapen 12 mijë vende të punës
Nënshkruhet Memorandumi për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit     Foto: ATA

Kompanitë "Eagle Hills Real Estate Development” dhe “Albanian Seaports Development Company”, sonte e nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit, për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit. Projekti është emëruar “Durrës Yachts & Marina”.

Të pranishëm në nënshkrimin e këtij Memorandumi ishin kryeministri Edi Rama, zv.kryeministrja njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed.

“Pas thuajse tre vjet rrugëtimi me shumë hapa, duke kaluar përmes diskutimesh, studimesh, analizash, debatesh, bisedimesh  teknike e negociatash jo të lehta, nënshkruajmë sot Memorandumin e Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës”, shprehet Rama.

Rama falenderoi Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed, ku sipas tij pa bekimin e të cilit ky projekt nuk do të ishte i mundur.

Ky projekt, i cili mori statusin e investimit strategjik do të zhvillojë e rijetëzojë qytetin e Durrësit, duke ndërtuar një port me kushte moderne dhe luksoze, për të ofruar për herë të parë një lloj të ri turizmi në Shqipëri.

Së bashku me portin, do të ndërtohet një zonë e re rezidenciale si dhe shërbimesh të një turizmi bregdetar elitar. Me këtë projekt, teksa porti tregtar i Durrësit zhvendoset në zonën e Porto Romanos, porti i ri që do të ndërtohet do të përqendrohet vetëm tek turizmi dhe shërbimet e këtij sektori.

Një investim prej 2 miliardë eurosh dhe që ofron 12 mijë vende të reja pune, ndikimi në ekonomi dhe në turizëm pritet të jetë shumë i prekshëm e pozitiv.

Porti i ri turistik i Durrësit e ngre turizmin shqiptar në një nivel të ri, si dhe i përshtatet strategjisë së qeverisë për transportin detar, ku përfshihen shumë plane dhe investime për të përmirësuar infrastrukturën e porteve në vend.

Me portin e ri turistik të Durrësit, dhe portet e reja në Shëngjin, Vlorë e Sarandë, si dhe me portet e reja tregtare, në vitet e ardhshme Shqipëria do të përjetojë rritje ekonomike prej turizmit dhe vendeve të reja të punës që do të krijohen nga këto investime.

Mohammed Alabbar themelues dhe pronar i EMAAR, kompania e cila pritet të ndërtojë portin më të madh turistik të Medheut në Durrës, gjatë fjalës së tij në nënshkrimin e Memorandumit, tha se ajo që do të ndërtohet në Durrës do të bëjë që vizitorët që do të vijnë do të duan që të mos largohen më nga Durrësi dhe Shqipëri.

Durrësi dhe i gjithë bregdeti shqiptar, siç u shpreh Alabbar është i mrekullueshëm, dhe mundësitë për investime janë të mëdha.

"Për mua është kaq privilegj që unë të marr pjesë dhe të vë në punë pasionin dhe dashurinë time për krijimin e kësaj jete në Shqipëri dhe në Durrës. Ju premtoj që kurrë nuk do ju zhgënjej zoti kryeministër”, tha Alabbar.

Ai, në fund e falënderoi kryeministrin Rama për besimin e dhënë për realizimin e këtij projekti.

TRT Balkan / agjencitë