Orban takon Ramën në Tiranë: Mbështetje integrimit të Ballkanit / Foto: AA

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se Hungaria mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Orban ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë, është pritur me ceremoni nga kryeministri Rama. Në konferencën e përbashkët për mediat në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, dy homologët u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe tensionet e fundit në Kosovë.

Kryeministri Rama theksoi se Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe, sipas tij, një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e Bashkimit Evropian.

"Falë kryeministrit Orban dhe përkushtimit të ministrit të Jashtëm si dhe të qeverisë së tij, ne kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale miqësore, por tanimë edhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Kjo vizitë është edhe një vizitë për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi, që hapi një fazë të re pas vizitës së delegacionit tonë kur u ftuam nga kryeministri Orban në Budapest", tha Rama.

Rama u shpreh se ndajnë të njëjtën bindje me kryeministrin Orban dhe Qeverinë e Hungarisë lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik të BE-së, për integrimin sa më shpejt në BE të Ballkanit Perëndimor.

"Kemi folur për të sjellë më shumë ekspertizë dhe investime nga Hungaria në fushën e energjisë dhe shpresoj shumë edhe në fushën e turizmit. Turizmi është bërë një urë shumë e rëndësishme lidhëse mes nesh. Turistët nga Hungaria shtohen në numër çdo vit", tha Rama.

I pyetur për tensionet dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, Rama tha se është urgjente nevoja që tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi.

“Është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet që tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim. Zgjidhja e përbashkët është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euro-atlantike. Fokusi është të bëhet paqja përfundimtare në tryezë dhe sot bashkësia euro-atlantike i ka dhënë Kosovës mundësinë e artë dhe propozimi në tryezë, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri Orban theksoi se Evropa nuk është në një gjendje të mirë sot, dhe shtoi se do të paguajnë një çmim shumë të lartë nëse nuk do të anëtarësohen në BE vendet e Ballkanit.

Ai u shpreh se vizita e sotme është në një periudhë shumë të rëndë, pasi, sipas tij, "kemi të bëjmë me një ristabilizim, me një rindarje ekonomike të rëndë që po ndikon në Evropën e sotme dhe mendoj se këto janë dhe pikat e dobëta të politikës ekonomike të Evropës së sotme".

"Çështja e sotme është që si mund ta konsiderojmë sot Ballkanin Perëndimor dhe sidomos anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Evropë. Është një problem apo një mundësi? Ne vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kemi sjellë zhvillim në Evropë dhe është kjo që ne mendojmë se do të sjellë Ballkani Perëndimor në këtë drejtim, sepse Shqipëria ka kapacitet rritjeje dhe zhvillimi. Dhe Evropa nëse nuk do që të ngelet pas në këtë ecje globale, në këtë zhvillim global, përgjigjja është e thjeshtë: Rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan, nuk gjenden në vendet e tjera të Evropës", tha Orban.

Kryeministri hungarez shtoi se është e papranueshme dhe sipas tij është e turpshme se sa ngadalë po ecën procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.

"Nëse zgjerimi i Bashkimit Evropian do të ecë me këtë ritëm kaq të ngadaltë, mund të them se është një ritëm vetëvrasës, nuk e di si do të ia bëjë Evropa në të ardhmen. Për këtë arsye Hungaria mbështet gjithmonë dhe do ta mbështesë dhe në të ardhmen anëtarësimin e Shqipërisë, integrimin e Ballkanit Perëndimor (në BE)", theksoi Orban.

I pyetur mbi tensionet dhe situatën në veri të Kosovës, Orban tha se javën tjetër do të ketë një takim bilateral me Beogradin, pra Hungari-Serbi, dhe shpreson që kjo çështje do të zgjidhet deri atëherë.

AA