Pala mbrojtëse e shtetasit turk Faruk Fatih Özer, themelues i plaftëformës Thodex, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Valbon Çerkezi nga procesi gjyqësor për ekstradimin e klientit të tyre në Türkiye. Andaj, seanca e sotme në Gjykatën e Apelit Durrës është anuluar për 30 dhjetor.
Në seancën e sotme shtetasi turk Özer nuk ishte i pranishëm, ndërsa u përfaqësua nga pala e tij mbrojtëse.
Në pretendimet e avokatit thuhet se kërkesa për të përjashtuar gjyqtarin Çerkezi nga drejtimi i seancave në vazhdim bëhet për shkak se gjykata nuk ka pranuar kërkesën e palës mbrojtëse në lidhje me përkthimin e disa materialeve të ndryshme të publikuara në mediat turke rreth procesit të Faruk Fatih Özer.
Kujtojmë se më 17 nëntor 2022, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan vendosi pro lejimit të ekstradimit në Türkiye të Özer. Shtetasi turk Özer apeloi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ndërsa seanca e parë në apel u mbajt më 16 dhjetor.
Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë ka përfunduar procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.
Ndërkohë, autoritetet turke kanë theksuar se Özer do të ekstradohet në Türkiye pas procesit gjyqësor në Shqipëri.
Çështja ndaj Faruk Fatih Özer
Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".
Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mosqasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe pasi pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.
Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.
Gjithashtu, ndaj Özer më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.