Përfundoi procesi i votimit në zgjedhjet lokale të Shqipërisë.   / Foto: ATA

Në Shqipëri ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet vendore, ku në vend është votuar për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, raporton Anadolu.

Procesi i votimit për 61 bashkitë e Shqipërisë që filloi në orën 07:00 është mbyllur zyrtarisht në orën 19:00, ndërsa qytetarët me të drejtë vote kishin mundësi të votonin në gjithsej 5.213 qendra votimi në gjithë vendin.

Në disa qendra, votimi ka vazhduar edhe pas orarit zyrtar, për shkak të prezencës së qytetarëve në qendrat e votimit.

Në disa qendra votimi në qytete të ndryshme të vendit votimi filloi me vonesë për shkak të problemeve me pajisjet e identifikimit elektronik.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kishin 3.650.550 shtetas shqiptarë.

Për zgjedhjet vendore janë regjistruar si subjekte zgjedhore 44 parti politike, nga të cilat 38 parti jashtë koalicioneve, 6 parti të grupuara në dy koalicione dhe 12 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri zhvillohen për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një periudhë 4-vjeçare.

Procesi zgjedhor është vëzhguar nga misioni i OSBE/ODIHR-it, ambasada të ndryshme, si dhe disa organizata ndërkombëtare dhe kombëtare.

TRT Balkan / agjencitë