Policia e Shqipërisë ndalon 4 shtetas çekë në një uzinë ushtarake     Foto: AA

Në Shqipëri janë ndaluar nga policia katër shtetas çekë të dyshuar se po realizonin fotografi në një uzinë ushtarake në Qarkun e Beratit, në jug të vendit.

Sipas autoriteteve shqiptare, fillimisht tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar, me aparat fotografik.

"Sot, në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake Poliçan, janë konstatuar shtetaset P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe, me kombësi çeke, me aparat fotografik. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim dhe me Policinë Ushtarake, pas informacioneve të marra se në brendësi të tuneleve të uzinës, ndodhen dhe dy shtetas të tjerë, kanë ushtruar menjëherë kontroll të imtësishëm. Në brendësi të njërit prej tuneleve, gjatë kontrollit, janë konstatuar dhe dy shtetasit e tjerë, TH. M., 51 vjeç, dhe R. B., 42 vjeç, të dy me kombësi çeke", thuhet në njoftimin nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat.

Ndërkohë, për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila në një njoftim ka konfirmuar se shtetasit çekë janë ndaluar nga policia dhe se aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend.

Kujtojmë se dje ndodhi një incident në një uzinë tjetër ushtarake në Shqipëri, ku sipas autoriteteve shqiptare tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase tentuan të hyjnë në uzinë, ndërkohë kanë përdoruar edhe sprej neoparalizues, ku si pasojë u lënduan dy ushtarakë shqiptarë.

AA