Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një vizitë shtetërore në Letoni, në kuadër të turneut të vizitave në vendet baltike. Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë me homologun e tij Edgars Rinkevics.
"Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, presidentët e dy shteteve biseduam për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor", thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.
Sipas njoftimit, Begaj vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe u shpreh se Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Union.
"Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon", thuhet ndër të tjerash në njoftim.
Më tej, thuhet se presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin euroatlantik.
"Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Shqipëria, u shpreh presidenti Begaj, mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi", theksohet në njoftim.
Presidenti i Shqipërisë ka filluar një turne vizitash zyrtare në vendet baltike, ku përveç Letonisë, do të vizitojë edhe Estoninë dhe Lituaninë.
Në fokus të bisedimeve sipas Presidencës së Shqipërisë do të jetë intensifikimi i marrëdhënieve me secilin nga këto shtete si aleatë në NATO, integrimi i Shqipërisë në BE, proceset integruese euroatlantike të Ballkanit Perëndimor dhe çështje të tjera.