Presidenti polak në Tiranë, flitet për luftën Rusi-Ukrainë dhe Ballkanin / Foto: AA

Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me homologun i tij Bajram Begaj dhe zyrtarë të tjerë të vendit.

Pas ceremonisë së pritjes dhe takimeve në selinë e Presidencës së Shqipërisë, Begaj dhe Duda mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Polonisë, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.

Presidenti Begaj tha se ka vlerësuar marrëdhëniet sipas tij shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore të "rikonfirmuara edhe nëpërmjet kësaj vizite të mikut Duda në Tiranë".

"Polonia ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. I kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritete polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën", theksoi Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se agresioni ushtarak rus në Ukrainë kërcënon gjithashtu fqinjët e Ukrainës, por sipas tij njëkohësisht edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Vlerësova qëndrimin dhe rolin e Polonisë në përballimin e valëve të refugjatëve nga Ukraina. I shpreha Presidentit Duda solidaritetin e plotë, si dhe evidentova qëndrimet e qarta të Shqipërisë në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Ukrainës", tha Begaj.

"Duke u bërë anëtare e BE-së Shqipëria do të forcojë lidhjet ekonomike me Poloninë"

Presidenti Duda tha se shpreson që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, duke theksuar se "edhe një herë tjetër deklarova edhe mbështetjen tonë polake për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE".

"Jemi bashkë anëtarë të Aleancës Euro-Atlantike. Shqipëria gjithashtu është anëtar aktiv që dërgon forcat e saj aty ku NATO-ja ka nevojë", tha Duda.

Presidenti polak theksoi se me presidentin Begaj kanë biseduar edhe për çështjet ekonomike dhe shtoi se duke u bërë anëtare e BE-së Shqipëria do të forcojë lidhjet ekonomike me Poloninë.

Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Duda falënderoi autoritetet shqiptare sipas tij për mbështetjen ndaj Ukrainës.

"Agresioni është kundër pavarësisë së një kombi, është një agresion pa pikë kuptimi që prek të gjitha parimet ndërkombëtare. Agresioni duhet të mbarojë. Unë e theksoj shpesh që duhet të mbarojë vetëm me një mënyrë, me largimin e forcave ruse nga territori i pushtuar ukrainas në bazë të rregullave ndërkombëtare të cilat përcaktojnë kufijtë e një shteti. Territori i Ukrainës duhet t’i kthehet në mënyrë të plotë Ukrainës, kështu duhet të jetë përfundimi i kësaj lufte", tha Duda.

Presidenti i Polonisë tha se është folur edhe për Kosovën dhe ka siguruar se vendi i tij kurrë nuk ka ngritur pyetje për vendin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Duda takon edhe kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryeministrin Edi Rama.


AA