Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë nuk u shënuan tensione.
Protesta e 18-të është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ndryshe nga protestat e kaluara nuk u shënuan tensione, ndërkohë organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave. Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësues i opozitës, Dorjan Teliti, gjatë protestës u shpreh se rezistenca është mjeti demokratik më i mirë për të vazhduar qëndresën.
"Në zyra nuk ka vend për njerëzit që shkelin ligjin, duhet të ketë vend vetëm për njerëzit me vizion dhe të ndershëm dhe jo njerëz që gllabërojnë të tashmen he të ardhmen e fëmijëve tanë. Sot prokuroria duhet të flasë", tha Teliti.
Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, tha se nuk tërhiqen nga kauza e mbrojtjes së qytetit të Tiranës dhe taksave të qytetarëve. Ai iu bëri thirrje qytetarëve protestues që të "vijojnë qëndresën". "Kjo betejë që po bëjmë është për të gjithë shqiptarët. Ne nga kjo betejë nuk tërhiqemi", tha Këlliçi.
Fjalime gjatë protestës mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të opozitës dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Në Shqipëri janë organizuar në muajit e fundit protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë i pasurive".