Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kujtuar sot 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe.
Kryeministri Rama në Twitter ka shkruar se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë.
“Si sot e gati çerekshekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!”, ka shkruar Rama Twitter.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën në Ditën e Çlirimit.
Në këtë ditë ai ka përkujtuar heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ka shprehur mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Veri-atlantike.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë. Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë ShBA dhe NATO”, ka shkruar presidenti i Shqipërisë.
Kosova u çlirua përfundimisht nga Serbia në qershor të vitit 1999.
24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.