Rama: Mbrojtje e veçantë nga shteti për gratë me 3 e më shumë fëmijë    Foto: AA

Nga 1 janari 2023 ka nisur programi i mbrojtjes së veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre e më shumë fëmijë deri në 18 vjeç.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi mënyrën e aplikimit përmes portalit qeveritar e-Albania.

Duke u regjistruar në platformën e-Albania, nënat me tre e më shumë fëmijë mund të aplikojnë në programin për mbështetjen nga shteti të pagesave të kontributeve shëndetësore dhe shoqërore.

“Prej 1 janarit nënat me tre e më shumë fëmijë, duke aplikuar në e-Albania, do të përfitojnë nga politika e re e mbështetjes për nënat e papuna me fëmijë nën 18-vjeç, të cilave do t’i garantohen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore nga shteti për 5 vitet e para të fëmijës”, u shpreh Rama.

Buxheti 2023 financon politikën e re, të mbështetur nga nisma e Këshillimit Kombëtar, për mbështetjen e grave të papuna me 3 dhe më shumë fëmijë.

Ky program financohet në vlerën 600 milionë lekë dhe mbështet çdo grua me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, të papuna, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë/muaj, duke subvencionuar nga shteti masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, si një mbështetje direkte për kujdesin në 5 vitet e para të fëmijës.

TRT Balkan / agjencitë