Rama me kryediplomatin e Emirateve: Finalizim i investimeve në Shqipëri

Rama me kryediplomatin e Emirateve: Finalizim i investimeve në Shqipëri

U diskutua edhe për vizitën e parë në Shqipëri të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Rama me kryediplomatin e Emirateve: Finalizim i investimeve në Shqipëri / Foto: ATA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi sot një takim në Nju Jork me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al Nahyan.

Kryeministri informoi se gjatë takimit u diskutua për finalizimin e paketës së investimeve në Shqipëri, si edhe për vizitën në Tiranë të Presidentit të EBA-së, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, e para e këtij niveli në Shqipëri.

Rama ndodhet në Nju Jork, ShBA, ku do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Delegacioni shqiptar në OKB kryesohet nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe pjesë e tij janë kryeministri Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani.

Shqipëria për herë të parë në historinë e anëtarësimit të saj në OKB mban që prej janarit të vitit 2022 vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, mandati dyvjeçar i të cilit përfundon në dhjetor të këtij viti.

ATA