Rama: Merr formë gjurma e pistës në Aeroportin e Vlorës, gati në 2025 / Foto: ATA

Në Aeroportin e ri Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës dhe tashmë punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ecuria e punimeve në Aeroportin e Vlorës.

Rama theksoi se me ndërtimin e tij, “Shqipëria Turistike do të hyjë në fazën tjetër drejt marrjes së vendit kampion në Ballkan për turizmin brenda kësaj dekade”.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.

VIA do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA-s dhe TIA-s do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.

Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.

Me veprimtarinë e aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.


ATA