Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë vizitës në Bruksel, zhvilloi sot një takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Në një postim në rrjetet sociale, pas takimit, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpreh se me Ramën diskutuan progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas saj, kjo do të afrojë rajonin dhe BE-në dhe do të nxisë prosperitetin e partnerëve të BE-së.
“Takim shumë i mirë me kryeministrin Edi Rama. Diskutuam progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe Planin tonë të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo do të afrojë rajonin dhe BE-në dhe do të nxisë prosperitetin e partnerëve tanë”, shkroi von der Leyen.
Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ndau detaje nga takimi, teksa theksoi se deeskalimi i tensioneve në Kosovë është i domosdoshëm për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendjeje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!”, bëri me dije Rama.
“Domosdoshmëria e deeskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Pas letrës së dërguar ndaj presidentit francez dhe kancelarit gjerman për një shtysë të re nga BE-ja për zbatimin e planit franko-gjerman si zgjidhje për tensionet Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama udhëtoi dje në Bruksel, për t’u takuar me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.