Qeveria e Shqipërisë organizoi eventin mbi Projektin “Auto Moto Park Albania” në Tiranë, ku janë prezantuar edhe projektidetë e kompanive ndërkombëtare të interesuara për zhvillimin e këtij projekti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në aktivitetin e organizuar nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë (DPSHTRR), e ka cilësuar këtë garë të kompanive si një event historik për automotorizmin shqiptar, por edhe për Shqipërinë.
Sipas Ramës, ky projekt i hap rrugë edhe një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve, me vende pune të mirëpaguara, mundësi dhe horizonte të reja për gjeneratat e ardhshme.
"Ne do ta realizojmë dhe po ashtu jam i bindur që, siç shumë gjëra, deri dje në dukje të pamundura, tani janë në rrugën që po bëhen të mundura, edhe ajo çka do të dukej e pamundur deri më sot që në Shqipëri të kishim edhe një garë të Formula 1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur", tha Rama.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, theksoi se në “Auto Moto Park Albania” do të ketë edhe pjesë të cilat do t'i shërbejnë edukimit për sigurinë rrugore.
"Auto Moto Park nuk është thjesht një pistë prej 3,8 kilometrash, por është një kompleks i tërë ku do të zhvillohen aktivitete nga më të ndryshmet, ku qytetarët e Shqipërisë ose qytetarët e rajonit ose edhe ata të Evropës mund të vizitojnë çdo ditë muzeun Retro (Automjetet historike Retro) që do të jetë i vendosur aty”, tha ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, u shpreh se “Auto Moto Park Albania” nuk mund të konsiderohet vetëm si një pistë ku do të zhvillohen gara shpejtësie, por sipas tij edhe si një gjenerator ekonomik e si një motor i fuqishëm për turizmin, punësimin dhe tregun automotiv.
Gjatë konkursit të sotëm si pjesë e eventit, studiot ndërkombëtare të projektimit të strukturave të tilla, autorë të pistave të Formula 1 në botë kanë prezantuar projekt-idetë e tyre, ku në përmbyllje do të shpallet projekti fitues për “Auto Moto Park Albania”.
Projekti synon krijimin e kompleksit të parë multifunksional për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të motorizimit.
Sipas autoriteteve shqiptare, “Auto Moto Park Albania” që do të zbatohet në Qarkun e Elbasanit është një hap historik për zhvillimin e motorizimit shqiptar dhe që mbështetet nga Qeveria e Shqipërisë dhe institucione të tjera.
Ky projekt, krahas promovimit, të kulturës së motorsportit dhe sigurisë rrugore, sipas autoriteteve, do të kthehet në një destinacion tërheqës për garuesit e huaj dhe do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë.