Rama: Serbia ta njohë Kosovën, shqiptarët duhet të bashkohen / Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli për çështjen e Kosovës dhe vizionin e tij për çështjen shqiptare në një intervistë televizive mbrëmë për mediat lokale. Ai theksoi se ndan të njëjtin qëllim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për bashkimin e shqiptarëve në fund të procesit. Por, rrugët që kanë zgjedhur të dy, sipas tij janë të ndryshme.

“Shqiptarët duhet të bashkohen. Po, sigurisht që edhe të njëjtën gjë do dhe Albini, por rrugën se si shkohet deri atje unë e mendoj ndryshe, Albini e mendon ndryshe. Por, është Albini Kryeministri i Kosovës dhe ai duhet të zgjedhë, unë i uroj të gjitha të mirat dhe suksese dhe realisht e realizoftë se ndoshta jam unë gabim”, tha Rama.

Rama tha se ka marrëdhënie të mira me kryeministrin e Kosovës dhe takimet me të janë gjithmonë frymëzuese. Theksoi se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të kërkojë falje për krimet gjatë viteve të 90-ta.

“Nuk dua të hyj në një çështje e cila është çështje e shpatullave të Kryeministrit dhe autoriteteve në Kosovë. Dihet botërisht që unë kam idetë e mia dhe qasjen time, qëllimi është i njëjtë. Mendoj që Serbia duhet të njohë Kosovën dhe të kërkojë falje dhe në fund të këtij procesi shqiptarët duhet të bashkohen”, deklaroi kryeministri Rama.

Kosova sot shënon 15-vjetorin e pavarësisë dhe aktualisht po zhvillon dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Tirana dhe Prishtina zyrtare shpesh kanë pasur qëndrime të ndryshme për politikën rajonale, ndërsa së fundmi janë paraqitur të ndarë rreth nismës “Open Balkan”, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa refuzohet nga faktori politik në Kosovë.

ATA