Në një konferencë për shtyp së bashku me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku, për çmimin e ri të energjisë elektrike, Rama tha se ulja e çmimit të energjisë është materializimi i jashtëzakonshëm i një historie 10-vjeçare përpjekjesh.
“Kini parasysh disa fakte dhe po përsëris fakte që nuk dalin zakonisht në ekrane dhe në portale, se ekranet edhe portalet janë shumë më të interesuara për spektaklin e gjysmë të vërtetave edhe për thertoren publike të të gjitha personazheve publike”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse që ne kemi marrë, qoftë me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm kur gjysma nuk e paguante apo e vidhte energjinë dhe pjesa tjetër paguante dhe për gjysmën tjetër, dhe falë incentivave është jo vetëm e para në rajon për vetëprodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i dyti”.
“Sot Shqipëria prodhon 196 megavatë energji elektrike nga subjektet private, familjare apo biznese. Në vendin e dytë është Serbia me ¼-ën e prodhimit të Shqipëri 51 megavatë. Pastaj Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë bashkë në një grup, midis 14 dhe 18 megavatë”, theksoi Rama.
“Tre vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjetik të Evropës lufta në Ukrainë”, tha Rama.