Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe administratorja e përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”.
Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi bëhet e mundur që të përgjysmohet koha e aplikimit dhe marrjes së pasaportës për diasporën shqiptare. Thënë ndryshe, tani çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë kufijve të vendit nuk do t’i duhet më 30 ditë për t’u pajisur me pasaportë, por kjo kohë reduktohet me 15 ditë.
Kryediplomati shqiptar u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshje do të reduktohet me 50% koha e nevojshme për pajisjen me dokumente biometrikë.
Duke e cilësuar këtë marrëveshje si një avancim tjetër në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, Hasani u shpreh se “shkurtimi i kohës për marrjen e pasaportës nga 30 ditë, në 15 ditë është një dëshmi e hapave konkretë të ndërmarrë për modernizimin dhe thjeshtimin e procedurave për shërbimet kaq të rëndësishme për qytetarët shqiptarë kudo ku ndodhen, të cilët mbeten prioriteti dhe qendra e vëmendjes së shërbimit konsullor të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”.
“Përgjysmojmë kohën e shërbimit, përgjysmojmë pritjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë, shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të marrë dokumentet e vendit të tyre, për të marrë identifikimin e një marrëdhënieje të cilën ata e kanë me vendin e origjinës”, u shpreh Hasani.
Jemi gjithmonë në shërbim të shtetasve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve tanë, kudo ku janë dhe përpjekja nuk mbaron këtu”, tha ai.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi se, “sot është një ditë e shënuar për të gjithë votuesit shqiptarë, të cilët do të aplikojnë për pasaportë dhe për kartë identiteti jashtë vendit. Aktualisht ne kemi nënshkruar një marrëveshje midis “IdentiTek”, MEPJ dhe MB. Kjo procedurë e cila më përpara ka qenë me një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë ajo shkurton 15 ditë këtë afat, i cili do t’u krijojë lehtësira në aplikim të gjithë shtetasve shqiptarë që do të aplikojnë jashtë shtetit për kartë identiteti dhe pasaportë”.
Hoxha apeloi të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit që të aplikojnë sa më shpejt për kartat e identitetit dhe të shohin kartat e identitetit dhe pasaportat e tyre për vlefshmërinë e tyre dhe afatet e skadimit.
Drejtuesja e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj, u shpreh se, “kjo risi ka në thelb nënshkrimin elektronik. Pra, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike format e aplikimit për ta bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë shumë më të shkurtër, pra në një kohë të përgjysmuar, duke lehtësuar në këtë mënyrë të gjithë procedurat e aplikimit dhe duke rritur efektivitetin dhe eficiencën e operacioneve tona”.
“Në vazhdimësi të iniciativave për të qenë më afër diasporës në prag të procesit zgjedhor në bashkëpunim me MEPJ-në, jemi duke hartuar një kalendar për t’i vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrike. Grupet tona të lëvizshme do të punojnë me kapacitete të shtuara”, tha Halilaj.
“Për sa u përket datave përkatëse kur ne do të vizitojmë vendet evropiane apo ShBA-në, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë”, theksoi ajo.