Propozimi i Partisë Socialiste për një projektligj me procedurë të përshpejtuar që fal gjobat për ndërtimet pa leje në zonat rurale shkaktoi tensione të ashpra në Parlamentin e Shqipërisë gjatë seancës plenare.
Partia Demokratike akuzoi mazhorancën se projektligji është shpallur pa u depozituar në Kuvend. Deputetët e opozitës kritikuan procesin, duke pretenduar se projektligji është futur me procedurë të përshpejtuar përmes një njoftimi me SMS.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, tentoi disa herë të zinte foltoren, duke debatuar me tone të larta me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.
Deputetë të tjerë të opozitës iu bashkuan përpjekjeve për të bllokuar foltoren, duke detyruar ndërhyrjen e efektivëve të Gardës për të qetësuar situatën.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja duke kërkuar edhe bashkëpunimin e opozitës, tha se mazhoranca i ka votat dhe se do ta miratojë para Vitit të Ri.
Sipas Manjës janë gjoba të paekzekutuara ndër vite.
“Është shumë e thjeshtë të nderuar kolegë, ky parlament e ka të drejtën legjitime me ligj që t’i anulojë gjobat. A jeni dakord që ky parlament me ligj të anulojë gjobat ndër vite të vendosura nga IKMT (Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit), pyetja është shumë e thjeshtë, ne si mazhorancë kemi numrat dhe do t’i anulojmë këto gjoba”, u shpreh Manja.
Por, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Flamur Noka, ky projektligj po bëhet para zgjedhjeve, ndërsa akuzoi mazhorancën se ka burgosur 38 mijë shqiptarë se “ndërtuan një kotec pulash pa leje”.
Në tjetër rend i ditës i senacës së sotme plenare është një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit dhe të Sportit, Ogerta Manastirliu, kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani në afërsi të shkollës ”Fan Noli” në Tiranë.