Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla u takua me kryetarin e Parlamentit të Arabisë Saudite, dr. Abdullah Al-Sheikh, dhe delegacionin që e shoqëron, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit u bisedua mbi nxitjen e bashkëpunimit dypalësh marrëdhënieve politike, ekonomike e parlamentare mes dy vendeve.
Kryetarja Nikolla i shprehu homologut saudit mirënjohjen për ndihmën financiare dhënë Shqipërisë ndër vite, për financimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe interesin e shtuar të kompanive saudite për të konsideruar investimin në Shqipëri në fushat e energjisë, turizmit, bujqësisë, agrobiznesit, minierave etj.
Kryetarja e Kuvendit shqiptar nënvizoi se “dy vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin e gjithanshëm politik, ekonomik e parlamentar, do të intensifikojnë luftën kundër krimit, terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit, për mbrojtjen e paqes sigurisë.”
Kryetarja Nikolla i shprehu kryetarit Al-Sheikh mirënjohjen për njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite në kërkesat për anëtarësim në UNESCO, Interpol etj., si edhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë.
Kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite, dr. Abdullah Al-Sheikh falënderoi Nikollën për pritjen e ngrohtë dhe nënvizoi se “Arabia Saudite do të vijojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe ky bashkëpunim është shumë më tepër se politik, ekonomik e financiar, është një ‘përkthim’ i miqësisë mes vendeve tona dhe popujve tanë”.
Nikolla dhe Al-Sheikh nënvizuan se parlamentet e Shqipërisë dhe të Arabisë Saudite do të vijojnë të nxisin bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve.