Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës vizitë në Shqipëri / Photo: AA

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me presidentin Bajram Begaj, kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë thuhet se presidenti Begaj nënvizoi rolin dhe kontributin që Shqipëria ka dhënë në 30 vjetët e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.

Begaj ka theksuar se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të vazhduar të bashkëpunojë dhe kontribuojë në kuadër të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të tjera të lidhura me të.

"Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë plotësisht e integruar në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës. Gjeografia është shumëçka. Kosova është gjeografikisht në Evropë. Populli i Kosovës meriton të jetë i integruar në organizatat evropiane. Ne duhet të ndërtojmë ura dhe jo mure, duhet t’i ndërtojmë ato sot në paqe. Kështu nuk do të lejojmë përsëritjen e historive jo shumë të largëta të konfliktit dhe dhunës ndëretnike që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor", ka theksuar Begaj.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se Spiropali dhe Berset diskutuan për mbështetjen e KiE-së dhe arritjet e Shqipërisë në sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, fuqizimin e institucioneve dhe vlerave demokratike, avancimin e reformave drejt anëtarësimit në BE, bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe ndërkombëtare dhe për Ukrainën.

"Kryetarja Spiropali dhe Sekretari i Përgjithshëm Berset, diskutuan mbi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë me këtë organizatë të madhe evropiane gjatë 30 vjetëve të anëtarësimit dhe kontributit të vendit tonë në Këshillin e Evropës si edhe kontributin aktiv të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare", thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Spiropali transmetoi kërkesën e Shqipërisë që Kosova meriton të pranohet sa më parë në KE.

Ndërkohë, ministri Hasani ka shkruar në rrjetet sociale se gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, dhe sipas tij roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja për Ukrainën.

TRT Balkan / agjencitë