Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur konferenca jubilare për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit dhe personaliteteve të ndryshme shtetërore e akademike nga Shqipëria dhe vende të tjera.
Në fjalën e saj përshëndetëse në aktivitet, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se themelimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vendit përgjatë shekullit të 20-të në zhvillimin e tij intelektual dhe shpirtëror.
"Pavarësisht se vendimi për themelimin e saj u mor nga instanca politike, 50 vjet të veprimtarisë së Akademisë së Shkencave provuan se ëndrra e dy shekujve të mendimit kombëtar gjeti shprehje tek kjo akademi dhe kërkimi shkencor elitar u pavarësua prej veprimtarive të tjera, përfshirë edhe atë universitare", u shpreh Nikolla.
Nikolla theksoi se Akademia e Shkencave e Shqipërisë lindi së pari si një institucion që duhej të përqendrohej tek çështjet themelore të historisë së popullit shqiptar, të origjinës, etnogjenezës dhe vazhdimësisë së tij.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur mbi rolin e akademisë në fjalën e tij tha se është një institucion që përfaqësoi dhe mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe.
"Nëse sot ne kemi një gjuhë të unifikuar dhe një gjuhë të shpëtuar, kjo i detyrohet në radhë të parë akademikëve të asaj kohe dhe asaj Akademie Shkencash që sot është në një proces për t'u rikthyer në lartësinë dhe vendin që i takon", u shpreh Rama.
Rama theksoi se debatet e mëdha që pasuan pas rënies së komunizmit në ballafaqimin me vendet e tjera të rajonit, por edhe me historinë e përbashkët të Evropës, "ne nuk do mundnim t’i bënim dot me argumentet shkencorë që disponojmë nëse nuk do të na i kishin lënë trashëgimi themeluesit e Akademisë së Shkencave", tha Rama.
Një fjalë përshëndetëse në këtë konferencë mbajtën edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi, i cili theksoi se në këtë 50-vjetor nderojnë më së pari të gjithë historinë e gjatë shekullore të akademizmit shqiptar.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë është themeluar më 10 tetor të vitit 1972 dhe sipas statutit të saj është institucioni përfaqësues më i lartë i shkencës dhe kërkimit shkencor në vend.
10 Tet 2022
Shënohet 50-vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë është themeluar më 10 tetor të vitit 1972 dhe sipas statutit të saj është institucioni përfaqësues më i lartë i shkencës dhe kërkimit shkencor në vend.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Italia planifikon ta modifikojë dekretin me Shqipërinë për emigrantët
Për ta bërë të mundur rifillimin e menjëhershëm të funksionimit të dekretit, qeveria italiane ka në plan ta heqë juridiksionin e saj mbi këto struktura, duke ia kaluar kompetencën Tiranës, sipas gazetës italiane ”Corriere della Sera”.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.