Biçikletat janë pjesë e trashëgimisë së Shkodrës prej më shumë se një shekulli.
Ishte viti 1907, kur në Shkodër u pa një një i huaj të lëvizte me një mjet që askush s'e kishte parë ndonjëherë. I huaji që ngiste biçikletën ishte Konsulli i Nderit të Suedisë. Kjo ngjarje shkaktoi kuriozitet të madh sipas dëshmive të kohës dhe të gjithë u dyndën për ta parë me sy atë mjet që kishte dy rrota dhe që nuk tërhiqej nga kafshët.
Në historinë e Shkodrës me biçikletë, gjejmë edhe një foto të rrallë të dy burrave me biçikleta, të veshur me kostume tradicionale shqiptare, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e cila daton nga viti 1897, por identiteti i tyre mbetet i paevidentuar. Kjo tregon se interesimi për biçikletën në Shkodër ka qenë i hershëm.
Një ngjarje historike për qytetin e Shkodrës gjatë kësaj periudhe ishte nisja e biçikletës nga një grua. Kësaj radhe, vinte nga konsullata austriake. Për njerëzit ky ishte një sinjal që biçikleta nuk ishte vetëm pronë e burrave, por se këtë dyrrotak mund ta ngisnin edhe femrat.
Ndërkohë, në vitin 1915 ishte policia e qytetit ajo që u pajis me biçikleta duke ushtruar deytrën e saj me to.
Me kalimin e kohës, shkodranët u bënë pjesë e kësaj kulture të biçikletës. Në vitin 1920, një grup qytetarësh shkodranë themeluan sportin e çiklizmit, duke e bërë Shkodrën një prej qyteteve pionere në këtë fushë në Shqipëri. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër.
Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, kur qyteti i Shkodrës kishte rreth 60.000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin nga çdo qytetar, ku nëpërmjet një pagese simbolike pajiseshin me një llamarinë me fushë të bardhë që kishte të stampuar numrin që vendosej nën shalën e biçikletës.
Një tjetër rekord u shënua sërish në Shkodër sa i takon biçikletës. Ishte biçikleta e parë dyshe që u përdor gjërë nga qytetarët shkodranë, aq sa pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre.