Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Sokol Bizhga, deklaroi sot se 1.700 punonjës policie do të jenë të angazhuar gjatë sezonit turistik.
“Në të gjitha pikat turistike, zonat muzeale, zonat bregdetare, zonat urbane e rurale, si dhe në pikat e kalimit kufitar, janë të planifikuar me shërbim 1.700 punonjës të Policisë Rrugore, patrullave të përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Policisë Kriminale, policimit në komunitet, Policisë Kufitare, Policisë Alpine, Njësive të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Repartit Special RENEA, për t’iu shkuar në ndihmë turistëve të huaj, duke kryer edhe operacione kërkim-shpëtimi”, tha Bizhga në një konferencë për media mbi masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, përgjatë sezonit turistik 2023.
Ai njoftoi se si rezultat i masave të marra gjatë 6-mujorit të parë, nuk është evidentuar asnjë ngjarje kriminale, në dëm të jetës së turistëve apo vizitorëve vendas dhe të huaj. Në këtë periudhë kanë ndodhur vetëm 2 tentativa të vjedhjes së sendeve personale të shtetasve të huaj, autorët e të cilave janë arrestuar.
Gjithashtu, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, në 45 raste, shërbimet e Policisë iu kanë shkuar në ndihmë turistëve që iu rrezikohej jeta për shkak të terrenit të vështirë, humbjes së rrugës apo dallgëve të detit. Ndihma u ofrua në zona të vështira, në Theth, Valbonë, Kukës, Krujë, Vlorë, Himarë, Përmet e Berat, si dhe në zonat bregdetare të vendit.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bizhga shtoi se janë marrë masa për të përmirësuar shërbimin edhe në kufi.
“Janë marrë masa efektive edhe në pikat e kalimit kufitar, për t’iu ofruar turistëve, vizitorëve e qytetarëve, në hyrje e në dalje, shërbim cilësor dhe për eliminimin e radhëve të gjata. Këto masa janë marrë në bashkëpunim me homologët e Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe të Malit të Zi”, tha Bizhga.