Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë / Photo: AA

Viti 2024 ka shënuar rritje të ndjeshme për turizmin kulturor në Shqipëri. Ministri i Ekonomisë, i Kulturës dhe i Inovacionit,

Blendi Gonxhja, ka publikuar shifrat të cilat reflektojnë rritjen e vizitueshmërisë që nga kalatë, muzetë, e deri tek parqet arkeologjike.

Prej janarit e deri në shtator të këtij viti, monumentet e kulturës e objekte të trashëgimisë kulturore u vizituan prej 1.092.584 personash. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kjo shifër është 35% më e lartë.

Sitet kulturore në janar-shtator 2024 patën 40% më shumë turistë të huaj dhe 31% më shumë vizitorë vendas. Listën e destinacioneve më të vizituara e kryeson Kalaja e Gjirokastrës me 196.515 vizitorë.

Pas saj renditet Parku Kombëtar i Butrintit me 127.753 vizitorë dhe në vend të tretë për nga vizitueshmëria qëndron Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë me 100.874 vizitorë. Kjo vizitueshmëri e lartë, përkthyer në shifra shkon në 3,93 milionë euro të ardhura, rreth 41% më shumë se në 2023.

Nga 367 mijë vizitorë të muzeve, shumica e tyre preferuan Qendrën Muzeore Krujë, Muzeun “Shtëpia me gjethe” dhe Qendrën e Muzeumeve Berat. Ndër parqet arkeologjike kryeson Butrinti me 127 mijë vizitorë, ndjekur nga Shkodra e Apolonia.

ATA