Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë, Igli Tafa, gjatë një paraqitje publike dje tha se Shqipëria është përballur vitin e kaluar me 49 sulme kibernetike në infrastrukturën kritike të vendit.
“49 sulme janë evidentuar si sulme që kanë pasur efekte, 12 prej të cilave kanë pasur efekte goxha të konsiderueshme. U përkisnin infrastrukturave të ndryshme, drejt Parlamentit, INSTAT-it”, u shpreh ai.
Sipas tij, shumica e këtyre sulmeve rezultojnë të vijnë nga Irani.
“Sulmet vijnë nga shtete fqinje, kryesisht nga ato që jemi partner, por kur e analizon më thellë kupton që sulmet vijnë kryesisht, në mbi 90 përqind të rasteve nga shteti i Iranit”, sqaroi Tafa.
Ai shtoi se 70 përqind e incidenteve kibernetike ndodhin si pasojë e gabimeve njerëzore, hapjes së linqeve apo dokumenteve të dërguara nga persona të panjohur.