Shqipëri, gjykata shtyn sërish seancën për ekstradimin e Faruk Fatih Özer.

Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur shtyrjen sërish të seancës për procesin e ekstradimit të themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer.

Në seancën e sotme të drejtuar nga gjyqtari Elis Dine, gjykata vendosi që seanca e radhës në lidhje me procesin në fjalë do të mbahet më 10 nëntor.

Sipas gjykatës, seanca është shtyrë me kërkesën e palës mbrojtëse të Özer, pasi avokati i tij ka kërkuar përsëri kohë që të njihet dhe shqyrtojë provat e paraqitura nga prokuroria.

Kujtojmë se Prokuroria e Elbasanit ka depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk Özer.

Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë zhvillohet procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.

Çështja ndaj Faruk Fatih Özer

Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".

Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.

Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.

Gjithashtu ndaj Özer më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.

Ndërkohë, autoritetet turke kanë theksuar se Özer do të ekstradohet në Türkiye pas procesit gjyqësor në Shqipëri.

AA