Shqipëri, Këshilli i Sigurimit Kombëtar vlerëson sigurinë kibernetike / Foto: ATA

Mesditën e sotme u zhvillua mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë, e thirrur nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Presidenca njoftoi se në seancën e Këshillit u diskutua gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë.

Në fjalën hyrëse, Presidenti Begaj solli në vëmendje se një vit më parë vendi u përball me sulme shumë të rënda, komplekse dhe të sofistikuara kibernetike.

“Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre”, u shpreh ai.

Ai tha se vlerëson maksimalisht punën e bërë nga institucionet, të cilët në bashkëpunim me partnerët strategjikë, si ShBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe me vende të tjera partnere e aleate, kanë bërë për arsimimin, trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të të gjithë përdoruesve të cilët kanë qasje në sisteme teknologjike dhe informacioni, me fokus të veçantë infrastrukturat kritike dhe infrastrukturat e rëndësishme të informacionit.

“Sulmet kibernetike janë shtuar në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuara dhe më komplekse duke rritur shkallën e vështirësisë së përballimit të tyre. Kam thirrur këtë mbledhje sot për të bërë një analizë të gjendjes aktuale të sigurisë kibernetike, si dhe për të diskutuar për sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballemi”, tha Begaj.

Sipas njoftimit nga Presidenca, pjesëmarrës në këtë mbledhje janë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

ATA