Sërish tensione në seancën e Kuvendit të Shqipërisë. / Photo: AA

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë nga tensionet dhe incidentet edhe gjatë seancës së sotme, pasi deputetët e opozitës kanë penguar zhvillimin e seancës plenare, ku ishte planifikuar të diskutohej për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit dhe disa projektligje.

Tensionet nisën që para fillimit të seancës, pasi deputetët e opozitës të përjashtuar për shkak të tensioneve në seancat e kaluara janë përplasur me punonjësit e Gardës së Shqipërisë, pasi kanë tentuar të hyjnë me forcë në sallën e seancave plenare, ndërkohë që mes tensioneve u dëmtuan edhe xhamat e derës kryesore të sallës së seancave plenare.

Aktualisht në fuqi është masa e përjashtimit për dhjetë ditë të pjesëmarrjes në seancë plenare dhe të komisioneve parlamentare për 13 deputetë të opozitës, pas tensioneve në seancat e kaluara parlamentare.

Pas hapjes së seancës plenare, deputetët opozitarë nga Partia Demokratike dhe jashtë grupeve parlamentare, kanë hedhur tymuese në sallë, duke mos lejuar vazhdimin e diskutimeve të deputetëve.

Në mes të tensioneve, seanca e cila zgjati 8 minuta u mbyll nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërkohë, ndryshimet në rregulloren e Kuvendit u miratuan me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë u propozuan nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, pas tensioneve të fundit në seancat parlamentare. Sipas vendimit për ndryshimet, në masat disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione ose në seancë plenare”, nga deri në 10 ditë që ishte, shtohet edhe në 30 ditë, pra 60 ditë.

Në një deklaratë për mediat sot pas seancës, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit në Partinë Demokratike, u shpreh se "Opozita realizoi me sukses të plotë misionin".

"Ky është asgjësimi i parlamentit. Në një sistem monist opozita ka vetëm një mision, qëndresë, qëndresë dhe vetëm qëndresë. Mosbindje civile", tha Berisha.

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë deklaruar më parë se "parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla"

TRT Balkan / agjencitë