Shqipëri, policia kryen kontrolle në kampin e Muxhahedinëve Iranianë / Foto: AA

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), në Manëz të Qarkut të Durrësit, ndërkohë, përfaqësuesit e MEK-ut pretendojnë për një person të vrarë dhe dhjetëra të plagosur gjatë kontrolleve.

Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë persona për qëllime humanitare, policia ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin e MEK-ut.

"Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp", thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, grupet e kontrollit të policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit të MEK-ut dhe në ambientet e brendshme të tij, ndërkohë që nuk jepen detaje të tjera për qëllimin e kontrolleve në fjalë. Policia shton se në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.

Reagimi nga kampi i MEK-ut

Në një reagim pas fillimit të kontrolleve të policisë, MEK-u ka pretenduar se "një banor i Ashrafit u vra nga sulmi i policisë", duke iu referuar sipas tyre deklarimeve të banorëve të kampit.

"Gjendja e Ashrafit është shumë e rrezikshme. Një person ka humbur jetën dhe 36 persona janë plagosur dhe janë nën oksigjen. Ky është një akt barbar për të qetësuar mullahët iranianë. Emri i personit të vrarë është Ali Mostashari", thuhet në njoftimin për mediat nga MEK-u.

Anëtarët e MEK-ut në Shqipëri

Në Shqipëri jetojnë prej disa vitesh rreth 2.800 anëtarë të MEK-ut, në një kamp (Kampi Ashraf 3) të ndërtuar posaçërisht për ta në Njësinë Administrative Manzë, në Qarkun e Durrësit.

Ardhja e tyre ka filluar që nga viti 2013 e në vazhdim për disa vite, me grupe, pas kërkesës ndaj Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe strehimin e tyre në Shqipëri.

Sipas autoriteteve shqiptare, Shqipëria e ka konsideruar këtë angazhim si një ndihmë për ShBA-në, për të kontribuuar në evakuimin e këtij komuniteti nga Iraku drejt Shqipërisë, duke pretenduar për një evakuim të përkohshëm dhe marrjen e tyre mbi baza humanitare.

AA