Në Shqipëri shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, ku në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit janë organizuar aktivitete të ndryshme.
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në vend kanë uruar mësuesit, dhe si traditë shumëvjeçare, nuk kanë munguar edhe dhuratat e ndryshme.
Edhe në shkollën 9-vjeçare "Kosova" në Tiranë, nxënësit iu janë bashkuar urimeve për mësuesit e tyre, duke iu dhuruar buqeta me lule dhe dhurata të ndryshme.
Zyrtarë të lartë të vendit dhe drejtues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e 7 Marsit, ndërkohë janë organizuar edhe takime dhe aktivitete me mësuesit dhe mësuesit në pension.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në selinë e Presidencës së Shqipërisë mësues në pension.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Presidenti Begaj u shprehu atyre vlerësimin dhe falënderimin në emër të shoqërisë shqiptare “për rolin që ata kanë luajtur në edukimin e brezave me dashuri për gjuhën, arsimin dhe atdheun”.
"Ju, me përkushtimin, pasionin dhe dashurinë tuaj ndaj mësimdhënies, keni ndezur shkëndijat e kureshtjes dhe njohurisë në zemrat e shumë brezave. Historitë tuaja, përvojat dhe mësimet që keni ndarë, janë trashëgimi e çmuar që vijon të frymëzojë breza të tërë", ka theksuar Begaj, duke iu drejtuar mësuesve në pension.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit, me anë të një mesazhi, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.
"Me rastin e 7 Marsit, Festës së Mësuesit, mirënjohjet dhe urimet e mia të përzemërta për koleget dhe kolegët mësuese e mësues, për dashurinë, dijet dhe vlerat që u japin vajzave dhe djemve të Shqipërisë. Talenti, përkushtimi dhe sakrifica e tyre janë investimi më i mirë për të ardhmen. Sepse progresi i arsimit është kusht dhe faktori kryesor i progresit të vendit", shprehet kryetarja Nikolla në mesazhin e saj.
Kryeministri Edi Rama ka uruar 7 Marsin me një video të publikuar në rrjetet sociale, me "Himnin e Mësuesit", kënduar nga nxënësit e shkollave të Tiranës dhe kori i Liceut Artistik në Tiranë, ku ndër të tjera shkruan "me mirënjohjen më të thellë dhe respekt për mësuesit e çdo krahine të Shqipërisë, të trojeve ku flitet shqip dhe diasporë".
Me rastin e 7 Marsit në vend janë organizuar aktivitete dhe vizita nëpër shkolla të drejtuesve të institucioneve të ndryshme.
Dita e Mësuesit përkon me hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 mars 1887 në qytetin e Korçës.