Shqipëri, shënohet Dita e Mësuesit / Foto: AA

Në Shqipëri sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, me aktivitete të ndryshme në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në vend kanë uruar mësuesit, ndërsa nuk kanë munguar edhe dhuratat e ndryshme.

Ashtu si në shkollat e tjera të Shqipërisë, edhe në shkollën 9-vjeçare "Kosova" në Tiranë, nxënësit iu janë bashkuar urimeve për mësuesit, duke iu dhuruar atyre edhe buqeta me lule.

Me rastin e 7 Marsit, zyrtarë të lartë të vendit, politikanë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në rrjetet sociale shkruan se është e rëndësishme të "kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar".

"Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë te ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë", shkruan Begaj.

Në mesazhin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, thuhet se Festa e Mësuesit, është një ditë mirënjohjeje.

"Për mësueset e mësuesit që vit pas viti, ditë pas dite, orë pas ore, me energjitë, talentin, vizionin dhe dashurinë e tyre përgatisin dhe edukojnë brezat e rinj, për të ndërtuar të ardhmen", shkruan Nikolla në mesazhin e publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

Një mesazh urimi në rrjetet sociale ka publikuar edhe ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi.

Dita e Mësuesit përkon me hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 mars 1887 në qytetin e Korçës.

AA