Shqipëri, shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas / Foto: AA

Në Shqipëri është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas me aktivitete të ndryshme, por edhe protestë sensibilizuese.

Në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë është vendosur instalacioni artistik "Këpucët e kuqe", si nismë ndërgjegjësuese kundër dhunës ndaj grave.

Aktivitetit "Këpucët e kuqe" iu janë bashkuar deputete të Kuvendit të Shqipërisë, zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të ambasadave, si dhe artistë.

Nga ana tjetër, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, me thirrjen e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë është organizuar protesta sensibilizuese me sloganin “Protestojmë për të drejtat tona”.

Me pankartat me mbishkrimet "Bashkohu që zëri juaj të dëgjohet", "Ne mundemi", "Bota jemi ne", "Dhuna nuk ka justifikim" dhe "Të drejtat e gruas sjellin stabilitet dhe zhvillim", dhjetëra gra kanë protestuar për sensibilizimin e institucioneve mbi mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Pjesë e protestës ishin deputete të Kuvendit të Shqipërisë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të forumeve të gruas të partive të politike.

Aktivitete të ndryshme me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

AA