Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë raportoi sot për situatën e zjarrëve në vend, teksa theksoi se, vijojnë të jenë aktive sot zjarret në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë, i cili është izoluar plotësisht në kufi me bashkinë Has dhe vijon aktive me intesitet të ulët në veri të lagjes Hajdarmataj.
Strukurat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura po vijojnë operacionin në atë zonë. Gjithashtu po punohet për shuarjen e vatrës në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejës.
Zjarri ka intensitet të ulët dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ministria bën të ditur se, zjarri në fshatin Mal-Shëngjin, bashkia Lezhë, i cili është aktiv prej disa ditësh, pasditen e djeshme u përhap menjëherë duke vënë në rrezik bizneset dhe zonat e banuara. Pas ndërhyrjes nga ajri të forcave zjarrfikëse është bërë e mundur shmangia e rrezikut për qytetarët.
Sot vijon operacioni nga toka dhe ajri, lajmëroi MM.
Gjithashtu, vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan, ku janë angazhuar në aksion strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
MM shton se, puna po vijon edhe në dy vatra të tjera, në kodrat e ligenit të Viroit, në Gjirokastër dhe fshatin Lozhan, bashkia Maliq.
Ministria shprehu mirënjohje për të gjitha forcat operacionale të angazhuara në këto operacione për shuarjen e zjarreve, një pjesë e të cilave shkaktuar qëllimisht nga dora e njeriut.