Shqipëri, shuhen 14 vatra zjarri, 3 ende aktive / Photo: Niko Peleshi/Facebook

Gjatë 24 orëve të fundit sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile të Shqipërisë në AKMC janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe 3 vatra zjarri janë aktive.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, tha se “në bashkinë Delvinë sot puna po vijon, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq”.

Në bashkinë e Gjirokastrës, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra.

“Po ashtu, po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor”, theksoi Peleshi.

Peleshi falënderoi të gjithë efektivët zjarrfikës, efektivët e Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor e forcave vullnetare që po luftojnë prej disa ditësh me flakët.

TRT Balkan / agjencitë