Në Shqipëri është organizuar një tubim paqësor me rastin e 1 Majit - Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Tubimi me sloganin "Zgjohu, solidarizohu, kërko të drejtën" është mbajtur në Pedonalen e Tiranës, nga një grupim i organizatave të shoqërisë civile dhe sindikatave të ndryshme, sipas tyre të nxitur për ndryshime në politika dhe ligje që do të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.
Me pankartat me sloganet "Mos u justifiko, aktivizohu", "Të ndërtojmë fuqinë punëtore", "Boll me padrejtësi", "Paga të barabarta për punë të barabartë", "Pagesë dhe dinjitet", "Më paguani për të jetuar, jo për të mbijetuar" dhe "Respekto punën time", pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për rritjen e sensibilizimit për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Edison Hoxha, një nga organizatorët e tubimit, theksoi gjatë fjalës së tij se sot janë në një situatë ku punëtorët vazhdojnë të shfrytëzohen dhe vazhdojnë, sipas tij, të mos i përfitojnë të drejtat që atyre u takojnë.
Ai shtoi se këtë 1 Maj e përkujtojnë me një situatë pak më të ndryshme se vitet e tjera, pasi sipas tij, vëmendja ndaj punëtorëve tashmë është kthyer edhe drejt të drejtave të tyre dhe drejt standardeve të punës.
"Vëmendja duhet të jetë në mënyrë të balancuar, si për punësimin, ashtu edhe për standardet e punës. E kemi pasur prej vitesh këtë kërkesë dhe më vjen shumë mirë që tashmë është kthyer vëmendja si te punësimi ashtu dhe te standardet e punës dhe kjo është një arritje, është një arritje e parë sepse fillimisht duhet të kthejmë vëmendjen, duhet të diskutojmë, duhet të flasim për të drejtat në punë dhe pastaj të mundet që t'i implementojmë këto të drejta", tha Hoxha.
Gjatë tubimit, organizatorët parashtruan disa nga kërkesat e tyre, duke përfshirë fillimin e një dialogu konstruktiv për të adresuar shqetësimet e punonjësve, reformim të institucioneve të punës në Shqipëri, dialog periodik me çdo institucion publik dhe me sindikatat sa u përket pagave dhe kushteve të punës dhe përllogaritjen dhe vendosjen e minimumit jetik nga shteti.