Shqipëri: Vjosa, lumi i fundit i egër në Evropë, shpallet Park Kombëtar / Foto: ATA

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Evropë, u shpall sot nga Qeveria e Shqipërisë “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha sot pas mbledhjes së qeverisë se së bashku me të 3 degët e Vjosës, lumi Drino, Bënçë e Shushicë bëjnë atë që sot është parku i parë në Evropë, i një lumi të egër siç është lumi i Vjosës.

“Është punë e gjatë që kurorëzohet me këtë akt ligjor, është faza e parë kësaj pune që ka filluar që në fund të vitit 2021. Pas fazës së parë të studimit, që kishte të bënte me parkun natyror është punuar ngushtësisht me shoqatat mjedisore, Unionin Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës, të cilët edhe na certifikuan në samitin e Montrealit të CO15, të biodiversitetit për standardet ndërkombëtare të arritura për gjithë procesin e studimit dhe përgatitjes së këtij parku kombëtar”, nënvizoi Kumbaro.

Kumbaro theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me një kompani të njohur botërore në ShBA “Patagonia”, e cila, nënvizoi ministrja, “ka qenë bashkudhëtare në këtë udhëtim, për të avancuar pas kësaj jave, me një fazë të dytë me hartimin e planit të menaxhimit, shumë të domosdoshëm dhe masterplanit të zonës”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit e të Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare, përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.

Sipërfaqja e mbrojtur do të jetë deri në 12.727 hektarë, që përfshin sipërfaqe ujore, bregore bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore.

ATA