Shqipëria dhe Portugalia nënshkruajnë memorandum pune në fushën audiovizive      Foto: ATA

Një hap i ri në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Portugalisë u shënua sot, me nënshkrimin e një memorandumi nga Autoriteti i Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA) dhe Autoriteti Rregullator për Median i Portugalisë (ERC).

Memorandumi u firmos nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, dhe homologia e saj portugeze, Helena Sousa, gjatë mbledhjes së 22-të Plenare të Grupit Rregullator Evropian të Medieve Audiovizive (ERGA), e cila po zhvillohet në Romë.

Ky memorandum synon krijimin e një kuadri ligjor për ta forcuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e ndërsjellë ndërmjet dy rregullatorëve, duke adresuar fusha me interes të përbashkët.

Gjatë takimit, Krasniqi prezantoi punën dhe arritjet kryesore të AMA-s, përfshirë miratimin e ndryshimeve ligjore dhe përafrimin me Direktivën e BE-së 2018/1808, e njohur si Direktiva e ndryshuar për Shërbimet Mediatike Audiovizive.

Në këtë kuadër, AMA ka miratuar edhe një tjetër akt të rëndësishëm nënligjor, rregulloren “Për kriteret dhe procedurat e shqyrtimit të ndryshimeve në strukturën e pronësisë dhe transparencën e të dhënave të lidhura me pronësinë e OSHMA-ve”, falë së cilës është përmbushur tashmë edhe detyrimi i transparencës së plotë mbi pronarët përfitues të medias audio dhe audiovizive në vend.

Temë e bisedës kanë qenë edhe ndryshimet e mëtejshme të propozuara nga AMA, që parashikojnë përfshirjen e konceptit të Matjes së Audiencës në ligj; luftën kundër piraterisë së të drejtave të transmetimit dhe vijimësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë që punojnë në fushën e medias, në favor të përmirësimit të cilësisë së gazetarisë në median audiovizive dhe jo vetëm.

Gjithashtu, presidentja e ERC-së, Sousa, ka shpjeguar sfidat kryesore ku është e përqendruar puna e rregullatorit portugez, si dhe ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim të gjatë dhe të vlefshëm për të dyja palët.

Më pas dy krerët e autoriteteve rregullatore kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili bazohet në tri shtylla të rëndësishme: Edukimin mediatik; Metodologjinë e monitorimit të përmbajtjes audiovizive; Programe të shkëmbimit të ekspertëve.

“Është një memorandum shumë i rëndësishëm për të ardhmen e institucionit tonë”, ka thënë kryetarja e AMA-s. “Shpresojmë të bashkëpunojmë në fusha si monitorimi sasior dhe cilësor i medias, në edukimin mediatik, teknologjisë e në fusha të tjera. Do të shkëmbejmë sa më shumë informacione me njëri-tjetrin lidhur me të gjitha sfidat që rregullatorët tanë kanë”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa Sousa, duke falenderuar për bashkëpunimin, u shpreh e sigurt që ai do të vazhdojë në një mënyrë më të thellë, më kërkuese dhe më emocionuese.

Palët janë angazhuar që, sa i takon monitorimit të përmbajtjes së transmetuar, të dyja autoritetet do të shkëmbejnë informacionin mbi teknologjinë e softuerit të përdorur për përmbajtjen audiovizive, duke përfshirë platformat digjitale, transmetimin onlajn dhe teknologjitë e tjera inovative; do të zhvillohen metoda të përbashkëta për monitorimin e përmbajtjes të transmetuar, duke përfshirë analiza të përmbajtjes, vlerësime të pavarura të përmbajtjes dhe auditime periodike, për ta siguruar përputhshmërinë me standardet e autoriteteve si dhe do të shkëmbehen njohuri dhe përvoja lidhur me pajisjet e avancuara për monitorimin e përmbajtjes të transmetuar.

ATA