Shqipëria në koordinim me NATO-n për ndërtimin e portit ushtarak në Durrës.     Foto: ATA



Ndërtimi i një bazë ushtarake të NATO-s në Durrës, respektivisht pranë portit të ri Porto Romano, është i rëndësishëm për Shqipërinë, por edhe për Aleancën. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, duke folur para gazetarëve, tha se një ndër pikat e diskutimit me gjeneralin suprem të NATO-s, Christopher G. Cavoli, kohë më parë ka qenë dhe mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit të ri të Porto Romanos.

“Ky është një projekt i rëndësishëm për Shqipërinë po e po, por ne mendojmë dhe për Aleancën pasi siç e ka thënë edhe gjenerali suprem i NATO-s, Christopher G. Cavoli, Durrësi si portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor dhe në krahun lindor të NATO-s, është shumë i rëndësishëm për Aleancën e NATO-s”, deklaroi ministri.

Ministri Peleshi theksoi se Shqipëria i ofron NATO-s që porti, të jetë sipas standardeve të kërkuara nga NATO.

Ai po ashtu tha se projektimi i Portit Romano, është duke u bërë në konsulim me NATO-n.

Në Shqipëri, tashmë ka filluar ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Ndryshe, në fillim të vitit të ardhshëm siç paralajmëroi kryeministri Edi Rama, do të hapet gara ndërkombëtare për Portin e ri të Durrësit, që do të ndërtohet në Porto Romano, një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi, në Prishtinë e deri në Strugë.

TRT Balkan / agjencitë