Shqipëria teston votimin elektronik: “Ka garanci për fshehtësinë e votës” / Foto: AA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) ka organizuar testimin operacional për Sistemin e Votimit dhe Numërimit Elektronik, sistem që do të përdoret në disa bashki për zgjedhjet vendore të datës 14 maj.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat foli mbi aspektet teknike të votimit elektronik dhe rreth garancisë mbi fshehtësinë e votës me anë të këtij votimi.

Celibashi tha se me anë të testimit verifikohen aspektet e funksionalitetit të pajisjeve si për rastin e përdorimit të tyre nga votuesit, ashtu edhe për rastin e transmetimit të informacionit që këto pajisje do të kenë në ditën e votimit, informacion që do të transmetohet në qendrën e përpunimit të të dhënave në KQZ.

"Nga pikëpamja formale, jemi duke përmbushur një detyrim të kodit zgjedhor për të bërë testimin e funksionalitetit, por edhe të aspekteve të tjera të pajisjeve të teknologjisë së informacionit. Sot kemi radhën e pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik", theksoi Celibashi.

Ai tha se e shikon me rëndësi që të marrë jehonën e duhur, sipas tij garancia e plotë që ofrojnë këto pajisje në lidhje me fshehtësinë e votës.

"Nuk ka asnjë lloj mundësie, mënyre ose mekanizmi që dikush të verifikojë votën e dhënë nga një zgjedhës për subjekte të caktuara. Kjo është e sigurt 100 për qind", u shpreh Celibashi.

Në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023 në Shqipëri, zgjedhësit në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë do të votojnë nëpërmjet Pajisjes Elektronike të Votimit dhe Numërimit.

AA