Shtetas rus dhe ukrainas tentojnë të futen në fabrikën e Gramshit     Ministria e Mbrojtjes/Facebook

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka reaguar sonte lidhur me incidentin e ndodhur në fabrikën e Gramshit. Në komunikatë thuhet se tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në fabrikë. “Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar tre shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë”, thuhet në reagim. Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Policia e Shtetit shqiptar ka dalë me detaje lidhur me arrestimin e dy shtetasve rusë dhe një ukrainas, të cilët sonte sulmuan ushtarët shqiptarë derisa po tentonin të fotografin ambientet e zonës ushtarake në Gramsh. Nga shërbimet e fabrikës ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se në afërsi të rrethimit të fabrikës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake. Në momentin që dy ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me sprej neuroparalizues, por dy ushtarakët që ruanin fabrikën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij, thuhet në njoftimin e policisë. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z. (24), në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, shërbimet e policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. (33) dhe shtetasi ukrainas (F. A.) 25-vjeç, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj

Për këtë ngjarje janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën, përfundon komunikata e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njoftuar se dy ushtarakët e lënduar në Uzinën e Gramshit janë në gjendje të stabilizuar në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. “Ekipet e specializuara të toksikologjisë, djegie-plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Për ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjtetet sociale shkruan: “Çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh. Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje".

TRT Balkan / agjencitë