Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë.     Foto: ATSH

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.
Sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cenimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.
Gjatë diskutimeve u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit si një element thelbësor të sigurisë kombëtare.
Ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.
Në mënyrë të veçantë u vlerësua se mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me agjencitë e shtetit shqiptarë, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen e menjëhershme.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen.

Sulmet Kibernetike shkak për ndërprerjen e raporteve diplomatike Shqipëri-Iran
Pikërisht për shkak të sulmit kibernetik mbi infrastrukturën digjitale të vendit, para një muaji Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.
Sipas kryeministrit Rama, Shqipëria në korrik u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.
Hetimi i thelluar, siç theksoi Rama, ka zbuluar se agresioni kibernetik ndaj Shqipërisë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë.

TRT Balkan / agjencitë