Autoritetet e Shqipërisë kanë kërkuar sekuestrimin e të dhënave dhe bllokimin faqeve online në disa shtete, si në Rusi, Kinë dhe Britani, të cilat sipas hetimeve publikojnë të dhëna të hakeruara nga sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.
Në një njoftim nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë thuhet se nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këto faqe kanë IP ne Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi.
"U dërguan kërkesat për ndihmë juridike nga organet ligjzbatuese të shtetit përkatës Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse. Sqarojmë se këto faqe nga burojnë materialet e hakeruara përbëjnë objekt të hetimit penal, janë të dhëna dhe sisteme kompjuterike tashmë të sekuestruara konform ligjit procedurial të Republikës së Shqipërisë dhe çdo e dhënë që buron nga këto faqe që operojnë në mënyrë kriminale është objekt i hetimit dhe i sekuestrimit tashmë me vendimet e gjykatës", thuhet në njoftim.
Sipas prokurorisë, hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe janë në vijim.
Në javët e fundit, disa uebfaqe dhe profile të tjera publikojnë të dhëna të cilat pretendohet se janë marrë gjatë sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë.
Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë
Në korrik të këtij viti ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku pas evidentimit të sulmit në fjalë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë mbylli përkohësisht qasjen e shërbimeve publike online dhe të disa uebfaqeve qeveritare, për t’i rikthyer përsëri në funksion.
Në lidhje me këtë sulm kibernetik, më 7 shtator Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje "ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë".
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se "hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit".
Ndërkohë, më 10 shtator autoritetet në Shqipëri konfirmuan se një tjetër sulm kibernetik nga Irani është kryer ndaj Shqipërisë, konkretisht ndaj Sistemit të Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS), sistem që verifikon dhe administron hyrje-daljet në pikat kufitare të Shqipërisë.