Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit, por që theksohet se nuk ka humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik.
Në një njoftim të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë uebfaqja e Kuvendit është nxjerrë jashtë shërbimit.
Në njoftim theksohet se sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave.
Gjithashtu, theksohet se vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë, objektiv i një sulmi kibernetik në orët e fundit në Shqipëri ishte edhe një nga kompanitë e shërbimeve të telekomunikacionit.
Me sulme kibernetike edhe më masive Shqipëria u përball edhe në korrik dhe shtator të vitit 2022 dhe, sipas autoriteteve shqiptare, "agresioni kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit".