Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri ka organizuar tryezën e diskutimit me temë "Masat ndaj trafikimit të personave nëpërmjet teknologjisë", me pjesëmarrjen e zyrtarëve të disa institucioneve dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme.
Ekspertë dhe zyrtarë të institucioneve shqiptare dhe të OSBE-së kanë diskutuar mbi çështjet që lidhen me veprimet kundër keqpërdorimit të teknologjisë nga trafikantët e qenieve njerëzore në Shqipëri, përmes masave legjislative dhe operative.
Zëvendëskryetarja e Misionit të OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, gjatë fjalës në aktivitet theksoi se tema e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore është me shumë rëndësi.
"Ka shumë raportime të bëra nga studimet e OSBE-së se si teknologjitë e kohëve të sotme, se si interneti, rrjetet sociale dhe elementë të ngjashëm e kanë ndryshuar plotësisht mënyrën se si funksionojnë grupet e organizuara kriminale për të kryer trafikim të qenieve njerëzore, si dhe kontrabandim të emigrantëve", tha Pasztory.
Pasztory theksoi se është bërë një analizë e kohëve të fundit nga OSBE-ja që tregon sipas saj se si teknologjia është përdorur dhe vazhdon të përdoret për qëllime trafikimi.
Rritja e krimeve kibernetike
Shefi i Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shqipërisë, Hergis Jica, u shpreh se vitet e fundit kanë vënë re një shtim të veprave penale të cilat kanë të bëjnë me krimet kibernetike.
"Kemi një rritje të veprave penale të cilat janë të ndërlidhura me veprat e krimeve kibernetike dhe kjo vjen sidomos pas periudhës së pandemisë, ku qytetarët u fokusuan më shumë te teknologjia. Kohët e fundit kemi vënë re një shtim të publikimeve që kanë të bëjnë me trafikimin e personave. Kemi vënë re që persona të ndryshëm rekrutojnë, komunikojnë ose shtyjnë njerëzit të marrin pjesë në emigracion. Kjo në një farë forme ka të bëjë me trafikimin, pasi jo gjithmonë emigracioni është i ligjshëm", tha ai.
Jica theksoi se kjo fushë do një zhvillim të mëtejshëm brenda profesionistëve, sipas tij, që të shikohet cila do ishte rruga e duhur për ndjekjen e këtyre veprave penale.