Tirana do ti hapë dyert samitit të rradhës së Komunitetit Politik Evropian     Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë në Hungari për të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian, së bashku me dhjetëra kryetarë shtetesh dhe të qeverive nga vendet e Evropës, ka bërë të ditur se takimi i rradhës do të jetë në Tiranë.

Në nisje te sesionit plenar, Kryeministri Rama teksa iu përgjigj pyetjeve të mediave të pranishme në Budapest, ai theksoi se Tirana do të marrë stafetën për samitin e ardhshëm, në gjysmën e parë të vitit 2025.

"Po marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në Shqipëri gjysmën e parë të vitit që vjen, dhe sigurisht ka shumë gjëra për të diskutuar. Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve evropiane, sigurisht, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Ne jemi shumë krenarë që të kemi mundësi që ta mikpresim këtë takim", u shpreh Rama.

Ndërkaq, duke folur në lidhje me fitoren e kandidatit republikan Donald Trump, Rama tha se nuk mendon që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën.

"Përvoja më thotë që kur ishte president (Trump) dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që, le të shohim dhe le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën", deklaroi Rama.

Në takim liderët pjesëmarrës do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa.

Seanca plenare do të pasohet nga katër sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, sesioni për migracionin do të përfshijë të gjitha aspektet e migracionit, ndërsa ai për sigurinë ekonomike do të diskutojë edhe lidhjen në aspektin e energjisë, transportit, IT-së dhe gjithashtu tregtisë globale.

AA