Instituti “Yunus Emre” në Tiranë ka organizuar bashkëbisedimin me temë “Necip Fazıl ndërmjet brezave-nga tradita tek e ardhmja”, për jetën, personalitetin letrar dhe veprat e autorit turk Necip Fazıl Kısakürek.
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e institutit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të organizatave, studentë, nxënës dhe të ftuar të tjerë.
Në hapje të aktivitetit, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu, foli në lidhje me zyrat dhe aktivitetet e Institutit "Yunus Emre" në Shqipëri dhe botë.
"Qëllimi kryesor i institutit është mësimdhënia e gjuhës turke, por dhe prezantimi dhe promovimi i Türkiyes në fushën e artit, kulturës dhe historisë", tha Sakoğlu.
Sakoğlu theksoi se programi i sotëm ka të bëjë me jetën, personalitetin letrar dhe veprat e shkrimtarit të shquar Necip Fazıl Kısakürek.
I ftuar në bashkëbisedim ishte drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Büyük Doğu” (Lindja e Madhe), Emrah Kısakürek, i cili në fjalën e tij u fokusua në personalitetin letrar të shkrimtarit Necip Fazıl Kısakürek, ndërkohë që iu përgjigj edhe pyetjeve të pranishmeve.
Në një deklaratë për Anadolu, Emrah Kısakürek u shpreh se zgjodhën temën në fjalë për bashkëbisedim pasi duan të kuptojnë nëse vazhdon tradita e Necip Fazıl dhe po ashtu nëse vazhdon, sipas tij, a do të jenë në gjendje që këtë t'ia përcjellin dhe brezave të ardhshëm.
"Duke pasur parasysh që Shtëpia Botuese 'Fan Noli' ka përkthyer (në shqip) katër nga veprat e tij, ne zhvilluam një aktivitet të tillë edhe në bashkëpunim me Institutin 'Yunus Emre', pikërisht për të shpalosur rëndësinë, veprat, personalitetin letrar dhe jetën e shkrimtarit të shquar", tha ai.
Kısakürek shtoi se duke pasur parasysh edhe interesin e nxënësve që mësojnë turqishten, por dhe kursantëve që frekuentojnë Institutin “Yunus Emre” në Shqipëri, dëshironin që t'i përgjigjeshin pyetjeve të tyre në lidhje me figurën e shkrimtarit Necip Fazıl Kısakürek.
Aktiviteti u organizua në kuadër të edicionit të 27-të të Panairit të Librit që po mbahet në Tiranë në datat 13-17 nëntor.