Futbollisti 28-vjeçar Raphael Dwamena ka humbur jetën sot në fushën e lojës teksa zhvillohej ndeshja mes skuadrës së tij Egnatia dhe Partizanit.
Sulmuesi ganez, Raphael Dwamena i cili ishte edhe kapiten i skuadrës, u ndje keq në minutën ‘24 të ndeshjes dhe ra në tokë, pa ndjenja. Atij iu dha ndihma e parë në fushë nga stafet mjekësore dhe u transportua me ambulancë në spital, por nuk arriti të mbijetojë.
Mësohet se futbollisti 28-vjeçar ka pësuar një atak kardiak, por autoritetet shqiptare njoftuan se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë do të punohet për t’u sqaruar shkaku i humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes.
Ndarja nga jeta e Dwamenas, FShF-ja shtyn ndeshjet e javës
Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një komunikate në faqen zyrtare ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen e parakohshme nga jeta të kapitenit të Egnatias, ndërsa njoftoi se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë.
“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani. Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë.
FShF-ja i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë”, njofton FShF-ja.